Sfidat mjedisore në Bashkinë Devoll
Specialiste të Qendrës ACEG kanë nisur një fushatë diagnostikimi gjatë muajit korrik në njësitë administrative të Bashkisë Devoll për të konstatuar nga afër nevojat, problemet e qytetarëve në këtë krahinë të mrekullueshme të Shqipërisë, e cila është shpesh jashtë vëmendjes së kryeqytetit dhe investimeve publike.
Në këto 25 vitet e fundit ndryshimet shoqërore dhe politike shumë pak ndihen nëpër fshatrat e njësive administrative të Bashkisë Devoll. Qytetarët sigurojnë jetesën me anë të emigracionit dhe përdorin bujqësinë si një mjet për të plotësuar nevojat e përditshme. Megjithëse devollinjtë janë bujq të traditës ata nuk ndjejnë siguri për investimet në këtë sektor, pasi deri tani shumica e tyre nuk kanë përkrahje nga shteti dhe përballen me pasiguri tregu për prodhimet e tyre. Prodhimet e tyre si Molla, Qepa ,Patatja nuk arrijnë të kompensojë shpenzimet e kultivimit pasi ajo konkurrohet nga mallrat e importit.
Në të vërtetë, kjo krahinë juglindore ka shume çfarë ti ofrojë qytetarisë, prej saj kanë dalë njerëz të shquar të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në letërsi, politike, kinematografi apo shkencë. Emigracioni i hershëm e ka kthyer këtë krahinë në një nga zonat ku kultura perëndimore ndikoi në emancipimin e popullsisë për rrjedhojë kjo krahinë është një ndër të para e cila hapi shkollat e gjuhës shqipe dhe formoi organizata bamirësie të cilat akoma dhe sot në mjaft fshatra si Zicishti, Progri, Sinica e Hoçishti ekzistojnë me kontribute vullnetare nga banorët vendas dhe jashtë kufijve (emigracion dhe diasporë) dhe ruhet me fanatizëm prej tyre si një vlerë e trashëguar nga të parët e tyre. Vlerë e cila tregon historinë e tyre e cila trashëgohet brez mbas brezi.
Mjedisi në këtë krahinë është degraduar nga menaxhimi i varfër i mbetjeve, ujërave sipërfaqësore dhe shkatërrimi nga prerja e pyjeve dhe mbledhja e bimëve medicinale pa kujdes, pa kritere të cilat do ju japin mundësi që të mos i zhdukin këto lloje nga natyra por të përfitojnë në mënyrë afatgjatë prej të mirave të cilat sigurojnë prej saj.
Problemet të cilat prekëm pak më sipër me kalimin e viteve kanë zbehur disi qytetarinë e këtyre njerëzve. Aty ku punohet për të ekzistuar pak vend ngelet për të kontribuar në të mirat e përbashkëta, në mbrojtje të mjedisit, në zhvillimin e traditës së serenatave, të artizanatit, kulinarisë apo dhe turizmit malor. Investimet drejt zhvillimit të kësaj pjese vitale të zonës janë inekzistente.
Duke kaluar nga një fshat në tjetrin fshatarët tregojnë për kohët e largëta me nostalgji por shpresë tek e sotmja nuk kanë. Ata nuk njohin strukturat vendore të cilat menaxhojnë pasuritë e tyre, ata nuk ushtrojnë të drejtat e tyre për tu informuar apo të përfshihen në vendimmarrjen lokale. Këto të drejta ligjore të cilat kanë lindur si nevojë e miradministrimit të pasurive të përbashkëta por dhe të jetesës së qytetarëve nga institucionet nuk njihen prej tyre dhe rrjedhimisht nuk ushtrohen.
Vendimet me rëndësi për ta merren konform ligjit por popullsia është e pandërgjegjësuar, mbi mbrojtjen e pasurive të përbashkëta, mbi mbrojtjen e lumenjve, pyjeve apo dhe biodiversitetit të zonës. Probleme si prerja e pyjeve për lëndën drusore, hedhja e mbetjeve urbane aty ku ata mendojnë së është e përshtatshme si lumenj, përrenj dhe kodra larg “pragut” të tyre është një nga sfidat e para mjedisore me të cilën përballet Bashkia Devoll.
Në këtë kontekst, Qendra ACEG është duke punuar bashkë më strukturat vendore për ti ri-gjallëruar traditën, kulturën dhe historinë e zonës duke e shndërruar në një mjet funksional të ndërgjegjësimit publik për një sjellje pro-mjedisore.
Këto zona të harruara si Devolli, të kudondodhura në Shqipëri janë një thesar më shumë për vendin tonë, zhvillimi i tyre sjell dhe zhvillimin e shoqërisë tonë, mbrojtja e mjedisit nga fshatarët sjell dhe mbrojtjen e mjedisit të vendit. Shpesh në malet, kodrat dhe fshatrat tona nis ndotja e lumenjve, liqeneve e deteve, por njëkohësisht aty nis mbrojta e jetës!
Leave a Reply