182023Kor
Prespa një thesar në pritje të turistëve…

Prespa një thesar në pritje të turistëve…

Parku Kombëtar i Prespës, një nga parqet natyrore më të mëdha dhe më mbresëlënëse në Shqipëri, është vetëm 45 minuta me makinë larg Korçës. Ndërsa dy liqenet e mrekullueshëm të Prespës së Madhe (Liqeni i Prespës së Madhe) dhe Prespës së Vogël (Liqeni i Prespës së Vogël) kanë mbajtur njëri-tjetrin për mbi 5 milionë vjet, ndoshta ka ardhur koha që edhe ju t’i vizitoni ato. Me një sipërfaqe prej rreth 300 kilometra katrorë dhe një thellësi maksimale prej 54 metrash, Liqeni i Prespës së Madhe ndahet midis Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe është i njohur për ujërat e tij të ëmbël dhe plazhet me rërë.

Në skajin juglindor të vendit, në Prespë, po rriten donacionet për ruajtjen e biodiversiteteit, zhvillimin rural dhe mbrojtjen e liqenit. Por në këtë zonë, numri i turistëve mbetet ende i ulët megjithëse potenciali është i lartë.
Prespa, e cila ndodhet vetëm 45 minuta larg qytetit të Korçës, është sot një zonë e pashfrytëzuar plotësisht në aspektin turistik, por që ofron një potencial të madh për turizmin e natyrës, biodiversitetin e larmishëm dhe kulturën që ka.
Rrethuar prej maleve të larta, liqenet e Prespës së Madhe dhe të Vogël bashkojnë tre shtete – Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë. Ky rajon është kaq i skajshëm sa pjesë të tij kanë mbetur gjerësisht të paprekura. Parku Kombëtar i Prespës është një nga parqet më të mëdhenj në vend, prej afro 28 mijë hektarësh.

Zona ka tërhequr tashmë vëmendjen e donatorëve gjermanë si KfË, PONT të cilët janë duke u kujdesur për ruajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të parkut dhe biodiversitetit. Por në zonë janë ende të paktë turistët e huaj apo vendas që kërkojnë “të shijojnë” klimën dhe natyrën e zonës. Nga ana tjetër, edhe banorët janë ende të papërgatitur për të pritur turistët, ku vetëm një numër i limituar shtëpish janë përshtatur si hotele apo “guesthouse”.
Sipas buletinit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit gjatë muajit Mars 2023 janë 77,944 vizitorë vendas dhe të huaj që kanë vizituar zonat tona të mbrojtura, dhe vetëm 14% e tyre kanë vizituar Prespën.Por gjithsesi në total të tre mujorit Janar-Mars 2023 kemi një rënie me 23% të numrit të vizitorëve, ulje që vjen nga ulja e numrit të vizitorëve në zonat e mbrojtura të Korçës.

Cilat janë potencialet e zonës?
Prespa, i ka shanset optimale për të zhvilluar një turizëm të natyrës malore. Prespa bën pjesë tek rezervatet e njohura ndërkombëtare, pasi ka pasuri të mëdha natyrore dhe të biodiversitetit, kombinimin e shkëlqyer të maleve me liqenet si dhe me pasuritë kulturore e historike.
Rajoni gjithashtu gëzon edhe një shans tjetër si një zonë ndërkufitare rajonale Shqipëri-Greqi-Maqedoni dhe mund të zhvillojë turizmin me ture ndërkombëtare e të përfitojë nga eksperienca veçanërisht e Greqisë.
Disa vite më parë janë bërë përpjekje për të krijuar një tur ndërkufitar përmes projekteve të IPA Cross-Border por, akoma nuk janë matërializuar për shkak të pengesave edhe politike. Por zhvillimet politike të integrimit europian me siguri mund ta mundësojnë këtë, në një periudhë të afërt.
Nga ana tjetër dhe popullsia e Prespës nga ana shqiptare ka qenë shumë e lidhur me emigracionin, veçanërisht në Greqi dhe Maqedoni të Veriut prej andej kanë mësuar që të zhvillojnë edhe turizëm dhe më të ardhurat e siguruara, kanë investuar kryesisht në rinovimin e shtëpive të banimit ose kanë ndërtuar shtëpi të reja.
Prespa është tashmë e lidhur me rrugë të asfaltuara automobilistike dhe e arritshme shpejt (në më pak se 1 orë) nga Korça dhe ka edhe pikë kalimi doganore ndërkufitare me Maqedoninë e Veriut, pra është edhe e arritshme nga Maqedonia e Veriut.
Prezenca në vazhdimësi e projekteve të donatorëve të huaj në këtë rajon po jep mundësi reale mbështetëse të projekteve edhe në fushën turistike.

Një qasje e integruar DMO…
Liqeni i Prespës mund të kthehet si një rajon i integruar “Theth-Valbon” e dytë. Në Prespë mund të lulëzojnë:
– eksperiencat në natyrë si: ecje në natyrë, eskurisionet liqenore, ciklizimi dhe ngjitjet në male; vozitjet dhe sporte ujore.
– ture kulturore: vizitë në kultet fetare, kishat e zonat, muzeun e Sterjo Spasse;
– udhëtime të kulinarisë: ushqimet e zonës, degustimi i verës, drekat në natyrë, tava e krapit të liqenit.
– Ture tematike dhe të orientuara: eskursione edukative, udhëtime relaksuese shëndetsore, retreat biznesi 2-ditore.
Prej vitesh, autoritete vendore dhe ato qendrore po ndjekin zhvillimin dhe përmirësimin e zonës, me qëllim rritjen e zhvillimit ekonomik dhe turistëve dhe të ardhurave në këtë rajon.
Në të kaluarën, Prespa ka qenë një laborator projektesh të shumta për ndërgjegjësimin, biodiversitetin, turizmin dhe nxitjen e bashkëpunimit mes tri vendeve dhe midis të tjerave, edhe për nxitjen e turizmit familjar në Prespë. Rezultatet e projekteve në ato vite ishin modeste dhe sot, nga ajo kohë, janë hapur disa ‘guesthouse’ që presin turistë të pakët në shtëpitë e tyre, por më tej, zinxhiri turistik dhe i ofertës ndalet vetëm më bujtinën.
Realiteti sot në Prespë natyrisht ka ndryshuar. Por në drejtim të jetës ekonomike dhe të rritjes së të ardhurave për popullsinë lokale nga puna në fshat e në bujqësi, duket që ritmet janë shumë të ulëta.
Në të gjitha fshatrat, dallohet qartë angazhimi i banorëve të pakët për të punuar dhe mbjellë tokat tashmë por më së shumti punohet me krahë. Situata post-covid është edhë më e ndjeshme ku emigracioni i lartë bie më shumë në sy në një zonë relativisht të shpopulluar.

ACEG team

E ardhmja!
Margarita Buxhaku nga Qendra ACEG shprehet se, nëse do të bëhej një krahasim me atë çka është arritur me turizmin malor në Alpet e Shqipërisë dhe veçanërisht në Theth, Valbonë, Lepushë apo Vermosh ku kushtet e infrastrukturës kanë qenë shumë më të këqija, është plotësisht e mundshme që të shkëmbehet përvoja dhe të zhvillohet një produkt turistik i qëndrueshëm dhe integruar me bazën e shëtitjeve malore, si dhe me turizmin familjar në Prespë.
Tashmë, strukturat e zonave të mbrojtura dhe autoritete bashkiake po ndërtojnë edhe sistemin e sinjalistikës turistike, hartës GIS dhe markimin e shtigjeve dhe mund të bëhet një promovim i mirë për turizmin ndërkombëtar dhe atë vendas. Ne, si ACEG jemi duke punuar ngushtë me bashkitë e Pustecit dhe Devollit, agjencinë rajonale të zonave të mbrojtura Korcë, banorët e zonës, bizneset familjare dhe shoqatën kombëtare të guidave në Shqipëri për ta promovuar dhe mbështetur në këtë drejtim.

Akademia e Turizmit për të Rinjtë
Qendra ACEG hodhi hapin e parë, me mbështetjen e një Akademie të Turizmit Rinor në 2019-2020 së bashku me GIZ/Proseed dhe PONT. Kjo nismë mundësoi trajnimin të rinjve të zonës, certifikimine tyre dhe mbështetjen në hartimin e 26 planeve të biznesit.
Pavarësisht se Qendra ACEG mbështeti financiarisht zbatimin e një projekti, si ngritja e një bujtine në Buzëliqenas, autoritetet vendore nuk mundën të krijonin hapësira për mbështetjen e nismave të tjera për start-upe në zonë që do të rrisnin dhe më tej mbështetjen drejt turizmit të natyrës në zonë.

Një Park i Shëndetshëm për Njerëz të Shëndetshëm
Gjatë vitit të fundit, Qendra ACEG ka prezantuar një nismë inovatore për të tërhequr vëmendjen drejt Prespës të titulluar – Park i Shëndetshëm për Njerëz të Shëndetshëm. Kjo nismë ka shumë përfitime qoftë mjedisore, shëndetësore por dhe ekonomike dhe turistike. Në këtë nismë, është prezantuar së pari koncepti i përgjithshëm, përfitimet e saj, hapat për ta aplikuar në Prespë dhe rëndësia e gjithëpërfshirjes nga aktorët vendore, bizneset, institucionet, shkollat dhe gudiat turistike.
Dëshironi të dini më shumë! Vizitoni faqen tonë ku ne promovojmë Nismën Park i Shëndetshëm për Njerëz të Shëndetshëm në Parkun Kombëtar të Prespës, bashkë më partnerët tanë nga ADZM Korcë, Bashkia Pustec dhe Bashkia Devoll.



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *