152018Jan
Qendra ACEG diskuton me kryetarët e fshatrave të Bashkisë Devoll për menaxhimin e mbetjeve urbane

Qendra ACEG diskuton me kryetarët e fshatrave të Bashkisë Devoll për menaxhimin e mbetjeve urbane

9 – 10 janar 2018: Qendra Shqiptare për Qeverisje Mjedisore në bashkëpunim me Bashkinë Devoll organizoi katër takime me tematikë “Ndërgjegjësimi Mjedisor për menaxhimin e mbetjeve urbane”, me kryetarët e fshatrave të Njësisë Administrative Miras, Progër, Hoçisht dhe Qendër Bilisht. Në 9 janar, takimet u mbajtën në Njësinë Administrative Progër dhe Qendër Bilisht ndërsa ditën e dytë më 10 janar u përqendruan në Njësitë e Miras-it dhe Hoçishtit.
 
Qëllimi i takimeve ishte sensibilizimi i kryetarëve të fshatrave mbi situatën e menaxhimit të mbetjeve në bashkinë Devoll, ku këta të fundit të organizojnë komunitetet e tyre për të ndalur ndotjen e mjedisit, pastrimin e përrenjve, lumenjve dhe pikave të nxehta të depozitimeve të mbetjeve disa vjeçare. Takimet u organizua në formën e diskutimeve ndërvepruese ku pjesëmarrësit diskutuan mbi problematikat të cilat hasen në terren nga mos menaxhimi i duhur i mbetjeve që nga abuzimi me mjedisin nga komuniteti dhe optimizmi i shërbimit të pastrimit nga operatori i kontraktuar nga Bashkia Devoll.
 

Njësia Administrative Miras. Takim me kryetarët e fshatrave. Foto realizuar nga Ergi Gupe!

Rreth 40 kryetarë të fshatrave (nga 44 në total në gjithë bashkinë) të zonë paraqitën problematiken specifike të territorit të tyre e lidhur ngushtëisisht me hedhjen e ambalazheve plastike, pesticideve dhe plehrave kimike bujqësore afër burimeve ujore, mungesa e një vendi të autorizuar për mbetjet inerte dhe ato të ngurta, mos respektimin e orareve të kamionave të pastrimit dhe mos njohja e tyre nga komuniteti.
Specifikisht, në Njësitë Administrative Miras dhe Hocisht të pranishmit diskutuan edukimin mbi menaxhimin e mbetjeve dhe nevojën e shpërndarjes së informacionit mbi ndikimin negativ në shëndet dhe ekonomi të territorit të tyre me komunitetin me qëllim që ata të përmirësojnë dhe të mos ndotin me mjedisin. Kryetarët theksuan nevojën për mësimin e taktikave të menaxhimit të mbetjeve si kompostimi, riciklimi dhe ripërdorimi i tyre.

Grupi lokal i punës duke përgatitur prezantimin në Nj.A Progër. Foto e realizuar nga M.Buxhaku.

 
 
Gjithashtu operatori i shërbimit të pastrimit i ndoqi nga afër të gjitha takimet dhe diskutimet e bëra me qëllim përpunimin e një kalendari të saktë të grumbullimit bazuar në sygjerimet konkrete të kryetarëve.
Drejtorët e Drejtorisë së Shërbimit Publik dhe Mjedisit, theksuan mbështetjen e tyre në organizimet me komunitetin nëpër fshatra si pjesë e angazhimit dhe përmbushjes së detyrave të tyre por dhe si pjesë e Grupit Lokal të Punës të ngritur në kuadër të zbatimit të projektit “Ndërtimi i një ure bashkëpunimi mes bashkisë, shoqërisë civile dhe qytetarëve për menaxhimin e mbetjeve në Bashkinë Devoll”.
Në përfundim të takimeve, Qendra ACEG njohu pjesëmarrësit dhe për bashkëpunimin me bashkinë Devoll në ndërtimin e një parku shumëdimensional në NJA Miras i cili do të përcjellë një mesazh të rëndësishëm në komunitet atë të mbrojtjes të mjedisit dhe potencialeve për zhvillim nga trajtimi i duhur i mbetjeve.
 

Moketi i parkut në Miras, propozuar nga Qendra ACEG. Projekti realizuar nga Klajdi Metaj, aktivist i Qendrës ACEG.

Në vijim, të diskutimeve dhe përfundimeve të nxjerra nga këto takime do të zbatohen këto masa:
Grupi Lokal i Punës do të asistojë në takimet e fshatrave të Njësive Administrative për ti ndërgjegjësuar dhe mobilizuar për pastrimin e lumenjve , përrenjve dhe pikave të ndotura;
Drejtoria e Gjimnazit “Fuat Babani” do të ndërgjegjësojë banorët për respektimin e mjedisit dhe do të shpërndajë informacion konkret për menaxhimin e duhur të mbetjeve së-bashku më nxënësit e shkollës.
Qendra ACEG do të koordinojë aksione vullnetare pastrimi në të gjitha njësitë administrative ku Bashkia Devoll do të largojë mbetjet e mbledhura së bashku me firmën e pastrimit.
Këto aktivitete realizohen në kuadër të projektit “Ndërtimi i një ure bashkëpunimi mes bashkisë, shoqërisë civile dhe qytetarëve për menaxhimin e mbetjeve në Bashkinë Devoll” i cili mbështetet në kuadër të programit SENiOR II Senior Albania, zbatuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit Shqipëri REC Shqipëri, me mbështetjen financiare të Qeverisë Suedeze Embassy of Sweden in Tirana.
 
Përgatiti:
Margarita Buxhaku, Drejtore ekzekutive, Qendra ACEG
Me kontributin e: Ergi Gupe dhe Renisa Pogoni.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *