192018Tet
Qendra ACEG fillon forumin e parë  për “Barometrin Bujqësor” në Njësinë Administrative Miras.

Qendra ACEG fillon forumin e parë  për “Barometrin Bujqësor” në Njësinë Administrative Miras.

Miras, 19 tetor 2018. Qendra ACEG ngriti grupin e punës të përbërë nga  tre ekspertë për kuadrin ligjor dhe institucional, bujqësinë, zhvillimin rural dhe zonën e mjedisit, të cilët kryen një analizë të plotë gjatë një periudhe dy mujore, gusht-shtator 2018. Ekspertët mblodhën të gjitha premtimet e autoriteteve aktuale bashkiake gjatë fushatës së vitit 2015, duke matur pesë fusha kryesore: bujqësinë, zhvillimi rural dhe agroturizmi, pylltarinë, mbrojtjen e mjedisit, ujitja dhe kullimi kundrejt 35 treguesve drejt zbatimit real për periudhën 2015-2018.

Takimi i parë për të paraqitur draft rezultatet e #DevollBarometër u bë më 19 tetor 2018 në Njësinë Administrative Miras, një nga njësitë më të mëdha me 17 fshatra dhe i njohur për prodhimet e saj bujqësore si prodhimi i qepëve në të gjithë Shqipërinë.

Sipas ekspertit Z. Nika “vërehet se Bashkia ka bërë përparim të konsiderueshëm drejt zhvillimit të bujqësisë, veçanërisht në sistemet e ujitjes dhe kullimit, ndërkohë që ngelet prapa në tre fusha të tjera”. Për më tepër, Nika sqaroi se bazuar në një analizë të përgjithshme grafikun e mëposhtëm, Bashkia e Devollit ka bërë përparim të pjesshëm ose të plotë drejt premtimeve të elektorale në 52% të punës; ndërsa nuk ka përmbushur plotësisht ose pjesërisht 48% të premtimeve të saj “. Megjithatë, në 48% të mos plotësimit të premtimeve arsyet janë të ndryshme që ndahen mes: mungesës së delegimit të plotë të kompetencave nga pushteti qendror në atë vendor, mungesa e burimeve të mjaftueshme financiare dhe kapitale, mbivendosje kompetencash si në pyje, mjedis dhe bujqësi.

Më tej Nika shtoi se Bashkia ka ende një vit më shumë për të përmbushur premtimet e veta dhe kjo mund të ndryshojë rezultatet e grafikëve siç paraqitet në barometër.

Gjatë sesionit të diskutimeve, pjesëmarrësit vendorë i njohën rezultatet e Barometrit të Devollit dhe vlerësuan punën e bërë si analiza e parë për zhvillimin rural në zonë. Banorë nga fshati Ponçarë, ngritën çështjen e mungesës së tregut e cila përbën mungesën e garancisë për fermerët. Produktet lokale si fasule apo qepë shiten “gjoja” nën markën Miras. Ndërsa, fermerët e tjerë renditën prioritetet nga këndvështrimi i tyre si: pesticidet e sigurta, tregu, luhatshmëria e çmimeve, mungesa e shërbimeve këshillimore bujqësore, mungesa e programeve televizive lokale të cilët flasin për bujqësinë alternative dhe kultivarët e duhur për fermerët.

Forumi Miras do të pasohet nga 3 tryeza të tjera që do të mbahen në Qendër, Hoçisht dhe Progër. Forumet lokale do të finalizohen menjë tryezë të diskutimi në qytetin e Bilishtit. Rekomandimet që do të vijnë nga konsultimet dhe forcat lokale do të rishikohen dhe përshtaten me draftin përfundimtar të barometrit dhe do të shërbejnë gjithashtu si pikë referimi për përgatitjen e prioriteteve në fushat e lartpërmendura direkt nga nevojat lokale.

Informacion i përgjithshëm

Ky takim është organizuar në kuadër të projektit “Barometri i Devollit. Vlerësimi i premtimeve lokale bazuar në nenin 27. Funksionet e bashkisë në bujqësi, pylltari dhe zhvillim rural “, që po zbatohet nga ACEG në partneritet me OJQ-të lokale Shoqata Gjelbërimi Proger dhe Komisioni Këshillimor Qytetar i Devoll-it. Projekti financohet nga LëvizAlbania – për një demokraci të fortë lokale nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim – SDC.



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *