162020Jan

Investimi në termoizolim e panele diellore

Del raporti i parë për bizneset e Korçës, si reduktohet fatura e energjisë elektrike

Çdo biznes në rajonin e Korçës mund të implementojë masa të eficencës së energjisë, me qëllim reduktimin e faturës mujore të energjisë. Ndërkohë që, për herë të parë është hartuar edhe një raport që jep të dhëna konkrete sesi vlera e investimit në termoizolim apo në panele diellore përkthehet në fatura të reduktuara të energjisë.

Ky raport është përgatitur nga Qendra Shqiptare për Qeverisje Mjedisore (Qendra ACEG), në kuadër të projektit “Iniciativa për rritjen e ndërgjegjësimit te bizneset e qytetit të Korçës mbi investime në energji dhe ndërtim të gjelbër”, mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian dhe i menaxhuar nga Qendra EDEN, teksa analizon në detaje konsumin e energjisë në një ndërtese, që përdoret si frigorifer për ruajten e frutave të zonës. Pas përpunimit të të dhënave të ndërtesës, që lidhen kryesisht me sipërfaqen, përmbajtjen arkitektonike apo pajisjet frigoriferike që përdor ky biznes, u arrit në përfundimin se me një investim prej 270 mijë lekësh, reduktimi i faturës së energjisë elektrike është në masën 15%, ndërkohë që kthimi i investimit arrihet për një periudhë relativisht të shkurtër prej 6.5 vitesh. Ndërkaq, ekspertët që hartuan raportin morën në konsideratë edhe mundësinë e instalimit të paneleve diellore, si një e drejtë që tashmë mund ta shfrytëzojë çdo biznes në vend. Kjo pasi, që prej qershorit të vitit 2019 Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka miratuar udhëzimin, që i hap rrugën vetëprodhimit të energjisë nga dielli. Në rastin e biznesit frigoriferik u arrit në përfundimin se ky investim nuk është i leverdisshëm, për shkak të kohës së gjatë të kthimit të investimit. Kjo, pasi sipërmarrësit do i duhej të investonte rreth 1.36 mln lekë, ndërkohë që koha e kthimit të investimit do të ishte 30 vite. Ky përfundim, në fakt nënvizon rëndësinë që ka për çdo biznes analiza kosto-efektivitet, përpara se të merret iniciativa për të instaluar panelle diellore. Por, kjo nuk do të thotë se bizneset e rajonit të Korçës, që kanë edhe konsum më të lartë të energjisë elektrike, të mos shfrytëzojnë mundësinë për të instaluar panele diellore, jo vetëm për të reduktuar faturën e energjisë, por edhe për të siguruar pavarësi energjetike.

Sipas udhëzimit të ministres, lidhja e impianteve të prodhimit të energjisë nga dielli për nevoja autokonsumatore me rrjetin e OSHEE-së bëhet sipas një procedure të lehtësuar. Më konkretisht, një shoqëri e vogël ose e mesme, apo një klient familjar mund të instalojë një kapacitet total më të vogël 500 kWp për vetëprodhimin e energjisë elektrike nga dielli, ndërkohë që impianti duhet të vendoset në objektin e konsumatorit. Pas lidhjes me rrjetin e shpërndarjes, çdo muaj do të bëhet bilanci midis energjisë së prodhuar dhe asaj të shpenzuar, ndërsa teprica e energjisë, më e madhe se konsumi mujor do t’i shitet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, me një çmim që duhet të vendoset nga Enti Rregullator i Energjisë. 

Ndërkaq, aplikimi për lidhjen e impiantit PV me rrjetin e shpërndarjes, do të bëhet pranë OSHEE në rubrikën shërbime online sipas procedurave të ngjashme për lidhjet e reja. Dokumentacioni për aplikimin, duhet të shoqërohet të paktën me: Formularin e aplikimit, raportin e auditit energjetik të lëshuar nga auditiuesi i certifikuar si dhe projektin e miratuar nga persona fizikë dhe juridikë të liçencuar për lidhjen e impiantit PV me rrjetin e shpërndarjes. Detyrim për vetëprodhuesit e energjisë është instalimi i një matësi me dy drejtime, që duhet të matë energjinë elektrike që subjekti merr nga rrjeti i OSHEE dhe energjinë elektrike që subjekti fut në rrjetin e OSHEE. Sipas udhëzimit, autorizimi për lidhjen me rrjetin e OSHEE do bëhet brenda 20 ditësh pune.

Ndërkohë që, në muajt në vijim Qendra Shqiptare për Qeverisje Mjedisore do të vendosë edhe 2 stenda informuese pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Korçë, ku çdo biznes do të ketë mundësi të informohet më në detaje mbi përfitimet nga aplikimi i masave të eficencës së energjisë dhe procedurat që duhet të ndiqen.

——————————————————————————————————————–

Ky shkrim është realizuar nga Ola Mitre si eksperte e medias për Qendrën ACEG në kuadër të projektit ” Iniciativa për rritjen e ndërgjegjësimit te bizneset e qytetit të Korçës mbi investime në energji dhe ndërtim të gjelbër” financuar nga Bashkimi Europian në kuadër të skemës së sub-grantimit të projektit Mbështetje për organizatat e shoqërisë civile (OJF) në kuadër të projektit GEAR Ekonomia e Gjelbër për një Zhvillim Rajonal, i menaxhuar nga Qendra EDEN.



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *