212018Pri
Firmoset Deklarata e Përbashkët ndërmjet rrjetit të shoqatave  vendore për forcimin e komuniteteve në bashkitë Devoll, Ura Vajgurore dhe Libohovë

Firmoset Deklarata e Përbashkët ndërmjet rrjetit të shoqatave  vendore për forcimin e komuniteteve në bashkitë Devoll, Ura Vajgurore dhe Libohovë

Devoll, 21 prill 2018. Shoqatat dhe grupet komunitare vendore në bashkitë Devoll, Ura Vajgurore dhe Libohovë, në kuadër të bashkëpunimit për rritjen e transparencës dhe aksesit në vendimmarrje të publikut në institucionet vendore, firmosën më 21 prill 2018 në Devoll Deklaratën e Përbashkët të Bashkëpunimit.

“Ne si përfaqësues të shoqatave dhe grupeve komunitare ramë dakord të angazhohemi që të fuqizojmë partneritetin ndër-vendor dhe bashkëpunimin në tre bashkitë Devoll, Ura Vajgurore dhe Libohovë, me qëllim forcimin e qeverisjes së mirë dhe llogaridhënies, lehtësimin e dialogut ndërmjet komuniteteve dhe adresimin sa më efikas të problematikave vendore”, – tha Znj. Margarita Buxhaku, menaxhere e projektit dhe drejtuese e Qendrës ACEG.

Në takimin e organizuar nga Qendra Shqiptare për Qeverisje Mjedisore (ACEG), “Lex Ferenda” dhe “Të Rinjtë e Urës”, shoqatat dhe grupet komunitare shprehën vullnetin t`i sigurojnë njëri-tjetrit, në baza të rregullta informacion rreth aktiviteteve të planifikuara; të mbështesin njeri-tjetrin në promovimin e qeverisjes së mirë dhe llogaridhënies përmes konsultimit dhe shkëmbimit të eksperiencave e informacionit; të fuqizojnë bashkëpunimin për çështjet lokale, duke përfshirë projekte të përbashkëta në dhe përtej tre bashkive, në kontekstin e zbatimit të parimeve më të mira të qeverisjes vendore dhe të lehtësojnë bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve, shoqërisë civile, strukturave vendore rreth projekteve për shkëmbimin e eksperiencave në tre bashkitë.


Në fjalen e tij përfaqesuesi i Bashkise Devoll theksoi nevojën për bashkëpunim të vazhdueshem mes qeverisejes vendore dhe shoqërisë civile. “Në punën tonë të përditshme ne mundohemi të jemi sa më pranë komunitetit duke ndërtuar dialog të vazhdueshem për shqetësimet dhe problematikat e tyre. Në këtë kontekst kontributi i organizatave e lehtëson këtë proces dhe e rrit më shumë shkallën e përfaqësimit. Për këtë arsye ne i mirëpresim nisma të tilla bashkëpunimi që shtrihen jo vetëm në Bashkinë tonë por edhe në bashkëpunim me bashkitë e tjera”, – tha Z. Ylli Taho, nënkryetar i Bashkisë Devoll.

Shoqatat dhe grupet komunitare ranë gjithashtu dakord të inkurajojnë dhe mbështesin inciativat qytetare për të marrë informacion nga autoritetet vendore dhe për të marrë pjesë në vendimmarrjen e tyre, si dhe të koordinojnë prezantimin e përfaqësuesve të organizatave vendore në platforma, takime, simpoziume rajonale dhe kombëtare.

Projekti “Rrjeti i Organizatave Vendore, i cili përkrah qeverisjen e mirë dhe llogaridhënien në bashkitë Devoll, Ura Vajgurore dhe Libohovë” mbështetet nga fondi i nën-grantimit “Rrjetëzim dhe shkëmbimi i njohurive ndërmjet OSHC-ve në fushën e anti-korrupsionit dhe qeverisjes së mirë në nivel vendor” – Raundi II, në kuadër të projektit CIVILISC, financuar nga BE, zbatuar nga IDM, në partneritet me Fondacionin RiskMonitor, Bullgari.



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *