Ec dhe pastro! Java Evropiane e Lëvizshmërisë në Devoll.
Java që kaloi ishte Java Evropiane e Lëvizshmërisë (16-22 shtator 2018), në çdo qytet në mbarë vendin u organizuan aktivitete të ndryshme për promovimin e transportit të qëndrueshëm dhe alternativat e ndryshme për uljen e ndotjes nga transporti.
Pjesë e kësaj lëvizje u bë dhe Qendra ACEG e cila në bashkëpunim me Bashkinë Devoll organizuan një aktivitet ndërgjegjësues duke u mbështetur dhe nga dy gjimnaze të rëndësishëm në bashki, Gjimnazi “Fuat Babani”, Bilisht dhe Shkolla e Mesme e Bashkuar “Jorgo Plaku”, Hoçisht dhe Njësia Administrative Hoçisht.
Aktiviteti “EC dhe PASTRO” u organizua në datë 21 shtator 2018 për sensibilizimin e komunitetit në Bashkinë Devoll, mbi transportin e qëndrueshëm dhe praktika të mira mbi angazhimin e të rinjve në mbrojtje të mjedisit dhe bashkëpunimin e të gjithë aktorëve lokalë për edukimin e tyre si qytetarë aktive dhe të përgjegjshëm në komunitet.
“EC dhe PASTRO” nisi në hyrje të fshatit Hoçisht, me pjesëmarrje e 70 të rinjve nga gjimnazet , stafi pedagogjik, punonjës të Nj. A Hoçisht, përfaqësues të Bashkisë Devoll.
Duke përshkruar një itinerar deri në pikën Satrivacit , te rinjtë dhe komuniteti pastruan mbetjet e hedhura për të dërguar një mesazh të qartë banorëve se të gjithë përgjigjemi për mjedisin dhe duhet ta mbrojmë atë.
Bashkia Devoll e përfaqësuar nga znj. Ardita Tare në emër të Kryetarit të Bashkisë Devoll theksoi se ndërgjegjësimi i banoreve që të shmangin të paktën një ditë makinat e tyre të cilat emetojnë lëndë të dëmshme për organizimin vjen si një përpjekje e shtuar në nismën e ndërmarre nga Qendra ACEG në kuadër të projektit “Ndërtimi i një ure bashkëpunimi mes bashkisë, shoqërisë civile dhe qytetarëve për menaxhimin e mbetjeve në Bashkinë Devoll “ i cili po zbatohet ne bashkëpunim me Bashkinë Devoll, prej një viti, për të kontribuar ne mbrojtjen e mjedisit.
Qëllimi i këtyre aktiviteteve është promovimi i vlerave dhe standardeve evropiane për një pjesëmarrje më të gjerë të banorëve pwr njw mjedis pa ndotje nga mbetjet dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit, për një jetë më të shëndetshme për fëmijët tanë.
Le te jenë këta nxënës lajmëtarë për të gjithë banorët e Devollit që të bëhen pjesë e një eventi i cili synon të evidentojë traditën dhe të nxisë të ardhmen përreth një mjeti të përbashkët miqësor me mjedisin dhe të shëndetshëm siç është biçikleta.
Duke qenë pjesë e grupit lokal të punës të këtij projekti zj. Gladiona Tila Administratore e Nj.A Hoçisht, tërhoqi vëmendjen se puna mbi administrimin e mbetjeve duhet të përforcohet në infrastrukturë por, më tepër punë duhet me komunitetin për ta kthyer në kulturë ashtu si dhe është tradita e zonës që të mos hidhen mbetjet në burime ujore, rrugë apo kudo në mjedis.
Ky fenomen ka shkaktuar një impakt negativ jo vetëm në shëndet por dhe në aspektin ekonomik, pasi Hoçishti është një destinacion turistik në zonë i cili do të mund të përfitojë shumë nga zhvillimi i agroturizmit paralel me turizmin shpirtëror dhe kulturor dhe ky lloj aktiviteti nuk mund të promovohet me një Mjedis jo të favorshëm e të ndotur. Konsiderojmë se duhet të ketë masa ndëshkimore për ata banorë të cilët nuk menaxhojnë si duhet mbetjet.
Gjimnazet “Fuat Babani”, Bilisht dhe “Jorgo Plaku”, Hoçisht të përfaqësuar nga znj. Elmira Kambo, Nën Drejtoreshë dhe z. Alban Fetolli, Drejtor rekomanduan dhe përshëndetën të tilla nisma edukative, shumë domethënëse për formimin e karakterit të të rinjve, si qytetarë të përgjegjshëm të cilët do të kontribuojnë në mirëqenien e komunitetit.
Në përfundim Qendra ACEG vlerëson bashkëpunimin dhe mbështetjen e dhënë nga të gjithë aktorët lokalë dhe megjithëse aktiviteti dhe projekti kanë afate të përcaktuara , puna jonë për një mjedis të shëndetshëm pa mbetje do të vazhdojë në të ardhmen me projekte të cilat do të synojnë të rinj për të mare iniciativa konkretë në terren duke punuar me shkollat për të ngritur punën vullnetare për të kontribuar secili prej nesh për qytetarë aktive.
Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit “Ndërtimi i një urë bashkëpunimi mes bashkisë, shoqërisë civile dhe qytetarëve për menaxhimin e mbetjeve në Bashkinë Devoll “ mbështetur nga programi SENiOR II, zbatuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit REC Shqipëri dhe financuar nga Ambasada Suedeze.
#seniorAlbania,
#RECShqipëri,
#EmbassyofSwedeninTirana
Leave a Reply