112018Nën
Barometri i Bujqësisë Devoll: Forumi i dytë nxit interesin e banorëve.

Barometri i Bujqësisë Devoll: Forumi i dytë nxit interesin e banorëve.

Qendra ACEG vijon me organizimin e Forumit të dytë për ”Barometrin Bujqësor” në Njësinë Administrative  Qendër Bilisht. Më datën 2 nëntor 2018, Qendra Shqiptare për Qeverisje Mjedisore (ACEG) në bashkëpunim me dy organizata lokale , Shoqata ”Gjelbërimi” dhe Komisioni Këshillimor Qytetar Devoll (KKQD), zhvilloi në Qendër Bilisht forumin e dytë lokal për prezantimin e gjetjeve të Barometrit Bujqësor. Ekspertët e politikave mjedisore, bujqësore dhe ligjore prezantuan analizën e plotë të një periudhe dy mujore, gusht-shtator 2018 mbi premtimet elektorale të kandidatit të Bashkisë, aktualisht Kryetar Bashkie, të bëra gjatë fushatës elektorale të vitit 2015 si dhe performancën e qeverisjes së Bashkisë Devoll për periudhën 2015-2018, duke u fokusuar vetëm në 5 fusha kryesore: bujqësinë, zhvillimin rural dhe agroturizmin, pylltarinë, mbrojtjen e mjedisit, ujitja dhe kullimi kundrejt 34 treguesve konkret. Ekspertja ligjore, prezantoi kompetencat e Bashkisë në funksion të Ligjit 139/2015, filozofinë dhe metodologjinë e përdorur në Barometrin Bujqësor dhe targetin e përcaktuar në studim. Më tej, eksperti i mjedisit Z. Nika, u ndal në 34 treguesit e barometrit dhe analizën e kryer sipas fushave përkatëse në funksion të Ligjit 139/2015.

Prezantimi i rezultateve të Barometrit nga ekspertët. Foto e realizuar nga A.Mema.(ACEG)

Gjatë sesionit të diskutimeve, pjesëmarrësit u njohën me rezultatet e Barometrit të Devollit dhe vlerësuan punën e bërë si analiza e parë për zhvillimin rural në zonë. Ndër shqetësimet që u ngrit nga një fermer  i fshatit Tren ishte çështja e përdorimit pa kriter të plehrave kimike dhe pesticideve në prodhimet bujqësore duke u shprehur se:  ”Mungesa e një agronomi ne na penalizon për të patur një prodhim të sigurt të produktet bujqësore. Në këtë bashki kemi dy lloje tokash ne nuk njohim sesi do ti trajtojmë”.

U evidentua fakti se menaxhimi i mbetjeve dhe kanaleve ujitëse përbënë një shqetësim për komunitetin në fshatin Bitinckë. Të pranishmit theksuan se trajtimi i mbetjeve është emergjencë por në të njëjtën kohe u pranua se për të patur rezultate duhet një ndërgjegjësim i komunitetit për të qenë më bashkëpunues me bashkinë dhe njëri-tjetrin. Në kuadër të këtyre diskutimeve, eksperti i bujqësisë B. Dervishi u shpreh se: “Ne kemi humbur traditën e plugimit të tokës bujqësore, kjo sjell dëm ekonomik tek fermerët”, duke shtuar se krahas këtyre problematikave mungesa e kapaciteteve njerëzore të kualifikuar për zhvillimin e bujqësisë për të plotësuar nevojat e fermerëve, sjell keqfunksionimin e tyre. Eksperti B. Dervishi renditi gjithashtu disa faktor të tjerë që përbëjnë problem si: Mos ruajtja e kritereve për punimin e tokës duke e dëmtuar atë, mungesa e kryerjes së analizave kimike të tokës dhe të ujit që përdoret për ujitje si dhe rekomandoi marrjen  në konsideratë të zhvillimit të shërbimit të marketingut të prodhimit për të shmangur pasoja të tilla si mbetja stok e gjithë prodhimtarisë por edhe dëmtimet ekonomike për fermerët.

Performanca e Bashkisë Devoll në fushën e menaxhimit të ujitjes dhe kullimit 2015-2018

Nga ana tjetër përfaqësues të sektorit të pyjeve në Bashkinë Devoll theksuan se Bashkia ka inventarin e fondit pyjor dhe planin për menaxhimin e tyre, por problematika qëndron në furnizimin e popullatës me dru zjarri. Kapaciteti aktualisht është Zero dhe kjo shkon në dëmtim të pyjeve në zonë.

Fermerë të fshatit Tren renditën një sërë çështjesh duke filluar me mënyrën e plugimit të tokës e cila sjelle rritjen e shkallës së erozionit, mungesa e një agronomi për mbarëvajtjen e prodhimtarisë, kontrollin e cilësisë së plehut të përdorur, mënyra jo e duhur e spërkatjes së mollës kjo si pasojë e mungesës së një specialisti, ngritja e një laboratori për kontrollin e produkteve, si dhe mungesën e informacionit për mënyrën e përdorimit të kimikateve që përdor fermeri.

Nga ky diskutim me komunitetin pjesëmarrës, doli si prioritet zhvillimi i Qendrës së Sinjal Prognozës, që do ti vijnë në ndihmë fermerëve me asistencë teknike si dhe domosdoshmëria e një agronomi për asistencë këshillimore.

Forumi Qendër Bilisht do të pasohet nga 2 tryeza të tjera që do të mbahen në Hoçisht dhe Progër. Forumet lokale do të finalizohen me një tryezë diskutimi në qytetin e Bilishtit. Rekomandimet që do të vijnë nga konsultimet komunitetin dhe përfaqësuesit vendor do të rishikohen dhe përshtaten me draftin përfundimtar të barometrit dhe do të shërbejnë gjithashtu si pikë referimi për përgatitjen e prioriteteve në fushat e lartpërmendura direkt nga nevojat lokale.

——————————————————————————————————————————————————————

Informacion i përgjithshëm

Ky takim është organizuar në kuadër të projektit “Barometri i Devollit. Vlerësimi i premtimeve lokale bazuar në nenin 27. Funksionet e bashkisë në bujqësi, pylltari dhe zhvillim rural “, që po zbatohet nga ACEG në partneritet me OJQ-të lokale Shoqata Gjelbërimi Proger dhe Komisioni Këshillimor Qytetar i Devoll-it. Projekti financohet nga LëvizAlbania – për një demokraci të fortë lokale nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim – SDC.


 #LëvizAlbania, #LëvizpërDemokracinëVendore,#ForumLokalTematik,#QendraACEG



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *