82019Pri

Banorët e Devollit vendosin vetë prioritetet e bashkisë

Për herë të parë banorët e Bashkisë së Devollit kanë vendosur vetë mbi prioritetet që duhet të ketë bashkia gjatë ushtrimit të funksioneve të saj. Shqetësimet dhe problemet e të tyre janë përmbledhur në “Dokumentin e Prioriteteve”, i cili do u dorëzohet kandidatëve për kryetar bashkie në zgjedhjet vendore 2019, duke kërkuar në këtë mënyrë hartimin e programeve realiste dhe të orientuar drejt nevojave të banorëve.

Raif Agolli, një fermer në zonën e Devollit ka mbjellë 1 ha tokë me mollë nga të cilat këtë vit arriti të merrte 45 ton prodhim. “Çdo vit shpenzoj 5 mln lekë të vjetra për të blerë plehra apo produkte për spërkatje, që janë të detyrueshme, por fitimi që ne marrim nga shitja e tyre është i papërfillshëm”,-thotë Raifi. Këtë vit, fermeri i shiti mollët te një grumbullues grek me 15 lekë kilogramin, çka do të thotë se fitimi vjetor i tij është vetëm 175 mijë lekë. “Me këto lekë unë duhet të mbaj familjen gjithë vitin. S’po llogarit fare këtu punën që bëhet për krasitjen apo për mbledhjen e mollëve, që e bëj me duart e mia, por e gjithë puna jonë shkon kot. Ndërkohë që, Greqia ka marrëveshje edhe me shtete të tjerë dhe molla jonë shkon nëpër botë me çmim disa fish më të lartë”,-shprehet Raifi, teksa shton se ai detyrohet t’i shesë mollët me këtë çmim pasi nuk ka asnjë alternativë tjetër. Ngjashëm me Raifin, edhe Enver Hoxha , një tjetër fermer në Devoll e kishte thuajse të pamundur të gjente një treg për mollët, çka e detyroi që këtë vit të marrë veprimin drastik për prerjen e tyre. “10 vjet më parë qeveria na këshilloi të mbillnim mollë dhe ne kështu bëmë”,-tregon Enveri. “Por, këshillimi ishte komplet i pavlefshëm, pasi unë mbolla një varietet molle që nuk pëlqehet në treg dhe sot u detyrova t’i pres të gjitha. Ekspertët që dinë më shumë se ne fermerët duhet të na i thonë këto gjëra”,-shprehet ai. Në fakt, mungesa e tregut të produkteve bujqësore, e ndjekur nga mungesa e asistencës teknike në bujqësi janë 2 prej problematikave më të hasura në 4 Njësitë Administrative të Bashkisë Devoll. Kjo sipas “Dokumentit të Prioriteteve”, që është një përmbledhje e reflektimit të shqetësimeve dhe problemeve të qytetarëve i ardhur drejtëpërdrejtë nga takimet me ta. “Ky dokument është hartuar në kuadër të projektit “Barometri i Bashkisë Devoll. Matja e premtimeve lokale sipas nenit 27.

Funksionet e bashkisë në bujqësi, zhvillim rural dhe pyje”, i mbështetur nga Lëviz Albania me financimin e Ambasadës Zviceriane”,-shprehet Margarita Buxhaku, drejtore ekzekutive e qendrës ACEG, që zbatoi projektin . “Ai u hartua pas takimeve të realizuara me banorët e të katër njësive, ku ajo që u evidentua ishin pikësrisht problematikat e mësipërme që rezultojnë të përsëritura në të gjitha njësitë”,-shton ajo. Sipas dokumentit, menaxhimi i ujërave të përdorur dhe i mbetjeve të ngurta urbane, gjithashtu ka qenë një problematikë e ngritur në të gjitha takimet e zhvilluara në periudhën Tetor-Dhjetor 2018 në Bashkinë Devoll. “Fermerët adresojnë si një problem të theksuar mungesën e tregjeve lokale me infrastrukturë të favorshme si edhe mungesën e informacionit nga zyra përgjegjëse pranë Bashkisë lidhur me mundësinë e tregtimit të produkteve të tyre në tregjet kombëtare e rajonale”,-thuhet ndër të tjera mbi problematikat e Njësisë Bilisht. Nga ana tjetër, përveç problemit të mungesës së ekspertëve në bujqësi si (agronom, veteriner etj.) banorët ngrenë si problem edhe mungesën e kapaciteteve profesionale në hartimin e projekteve për thithjen e fondeve e investimeve të ofruar nga partnerë e donatorë të ndryshëm, përmes skemave të grantimit apo subvencionit. Gjithashtu, edhe mungesa e specialistëve për të asistuar fermerët mbi përdorimin e helmeve dhe të plehërave kimikë, mungesa e politikave të rregullimit të konkurrencës mbi tregun e mollës, kapacitetet e ulëta frigoriferike në raport me nevojat, përkujdesja ndaj sistemit të ujitjes dhe kullimit janë problematika të tjera, të evdientuara nga banorët.

BAROMETRI & PRIORITETET

“Duke qenë se jemi në prag të zgjedhjeve lokale, ne kërkojmë që programi i kandidatëve për kryetar bashkie të mos jetë jorelaist, por të bazohet në prioritet e vendosur nga vetë banorët”,-shprehet Buxhaku. “Për këtë arsye kemi hartuar edhe Dokumentin e Prioriteteve”, i cili do t’u dorëzohet të gjithë kandidatëve e që do të shërbejë për t’u orientuar më mirë drejt nevojave reale të komunitetit”-shton ajo. Hartimi i “Dokumentit të Prioriteteve” vjen pas një pune paraprake mbi matjen e realizimit të premtimeve elektorale të fushatës së fundit të vitit 2015, ku ajo që bie në sy është fakti se një pjesë e mirë e premtimeve të pambajtura ose të realizuara pjesërisht mbeten sërish prioritete për t’u dhënë zgjidhje në madatin tjetër qeverisës. Studimi “Barometri i performancës së Bashkisë Devoll sipas përcaktimeve të neneve 26, 27 dhe 28 të ligjit 139/2015”, ishte gjithashtu i pari në llojin e vet që prej hyrjes në fuqi të reformës administrative territoriale.

“Sipas vlerësive në 2 dokumentet e hartuar, Bashkia Devoll duhet të shohë me prioritet zhvillimin e bujqësisë si motori kryesor i rritjes së mirëqenies së komunitetit, duke ndërhyrë në hallka të caktuara të sektorit me qëllim përmirësimin e funksionimit të tij”,-thotë Olsi Nika, një prej ekspertëve që ka punuar për hartimin e tyre. Në fakt, sipas “Barometrit të Devollit” në 52% të treguesve të bujqësisë është bërë progres i plotë ose i pjesshëm, ndërsa në 48% të tyre, regres i plotë apo i pjeshëm. Ndërsa, në drejtim të ujitjes dhe kullimit, si dy drejtime të lidhura ngushtësisht dhe në mënyrë funksionale me zhvillimin e bujqësisë rezulton progres i pjesshëm në 83% të treguesve dhe në progres të plotë në 17% të tyre. Për këto arsye në “Dokumentin e Prioriteteve” ky sektor zë një vend të rëndësishëm, ku për garantimin e bujqësisë së qëndrueshme familjare, kërkohet që Drejtoria e Bujqësisë së Bashkisë Bilisht në bashkëpunim dhe me Drejtorinë Zonale Qëndrore të Bujqësisë dhe me MBZHR, të studiojë dhe prezantojë rajonizimin e kulturave bujqësore në tërsi dhe të prodhimeve tradicionale të zonës në veçanti si: qepa e Bozhigradit, të fasules së bardhë dhe asaj pllaqi si lloje të veçanta dhe me vlera tregtare. Gjithashtu, për rritjen e cilësisë së punimeve të tokës bujqësore Drejtoria e Bujqësisë së Bashkisë Bilisht duhet të ndërmarrë një proces të certifikimit të të gjithë mekanizatorëve dhe herë pas here te promovojë teknologjitë e reja të punimeve, mbjelljeve dhe llojet moderne të agregatëve punues. Një tjetër prioritet i Bashkisë duhet të jetë shkëmbimi i informacionit dhe asistenca teknike në bujqësi. “Në këtë mënyrë Bashkia duhet të synojë rritjen e nivelit të shkëmbimit të informacionit më të fundit që lidhen më programet e ndryshme kombëtare apo rajonale si: IPARD dhe subvencionet e dhëna nga MBZHR nëpërmjet specialistëve të AZHBR-së dhe specialistëve të Drejtorisë së Bujqësisë së Bashkisë”,-thuhet ndër të tjera në dokument. Ngritja e një sistemi monitorues të kontrollit të cilësisë dhe përdorimit të të plehrave kimike në territorin e saj apo koordinimi i punës së Bashkisë me qeverisjen qendrore për ngritjen e sa më shumë dhomave frigoriferike për garantimin e ruajtjes dhe tregtimit pa humbje të prodhimeve bujqësore janë të tjera prioritete, të kërkuara nga banorët. Ndërkohë që, në drejtim të prioriteteve në fushën e ujitjes dhe kullimit, bashkia duhet të garantojë burimet e marrjes së ujit për ujitje nëpërmjet fuqizimit të Shoqatave të Përdoruesve të Ujit (SHPU), të bëhen investime të mëtejshme si dhe të ngrejë pika monitoruese për cilësinë e ujërave vaditës pasi një pjesë e ujërave të bardha dhe të zeza të fshatit derdhen në lumë. “Ky kontroll do të garantojë zhvillimin normal të bimëve dhe do të sigurojë pastërtinë e zinxhirit prodhues-tregtar-konsumator”,-saktësohet në raport.

“JO VETËM BUJQËSI”

Por, “Dokumenti i Prioriteteve” liston kërkesa edhe në drejtim të zhvillimit rural dhe agro-turizmit, duke kërkuar shikimin me prioritet të sektorit të turizmit, i cili ofron një potencial të madh. “Bashkia duhet të hartojë dhe promovojë guidën turistike të zonës duke e sjellë atë në format dhe mënyrat që të mund të jetë e aksesueshme nga të gjitha grup-moshat si dhe të ndërmarrë një plan veprimi për të përmirësuar infrastrukturën e pikave turistike të shtrira në territorin e saj si: Parku Kombëtar i Prespës, Shpella e Trenit, Parku i Cangonjit, Zona e Nikolocës etj.”,-thuhet në dokument. Nevoja për ndërhyrje në këtë sektor doli në pah edhe në Barometrin e Devollit, i cili vlerësoi se zhvillimi rural dhe agroturizmi, janë fusha ku qeverisja vendore duhet të bëjë më shumë. Sipas të dhënave të përpunuara për këtë funksion rezultoi se qeverisja e kryebashkiakut aktual, ka ndjekur mënyrën tradicionale të ndërhyrjeve siç janë ato në infrastrukturë rrugore, ndërkohë që është bërë shumë pak në shfrytëzimin e potencialit turistik të zonës edhe pse ky ka qenë një premtim elektoral i drejtpërdrejtë i bërë gjatë fushatës

Ndërkaq, “Dokumenti i Prioriteteve” vendos kërkesa edhe në drejtim të menaxhimit të pyjeve, ku Bashkia duhet të hartojë një plan konkret të menaxhimit të kullotave dhe lerave, duke fuqizuar grupet specifike të përdorimit të këtyre aseteve që të vetë-organizohen për përdorimin sa më eficient të tyre. Një prioritet i rëndësishëm është edhe vendosja në zbatim e planit të menaxhimit të pyjeve, ku bashkia duhet të garantojë burimet e nevojshme financiare dhe teknike për zbatimin e planit të menaxhimit të pyejve duke përfshirë planin e masave ndaj zjarreve dhe programet e ripyllëzimit. Sipas Barometrit, deri më tani pyjet nuk kanë qenë në vëmendje të bashkisë, duke qenë se progresi i vetëm në këtë drejtim është bërë në inventarizimin e tyre apo menaxhimin e lëndës drusore, ndërkohë që të gjithë treguesit e tjerë, sikurse janë: sipërfaqja e pyjeve komunale, programet e ripyllëzimit, plani i masave ndaj zjarreve, plani i masave ndaj erozionit apo menaxhimi i kullotave rezultojnë në regres. Ndërkaq, kandidatët e ardhshëm duhet të vendosin prioritete edhe në fushën e mjedisit, ku sipas raportit “duhet t‘i kushtohet vëmendje e veçantë ndotjes në mjedis duke rritur ndërgjegjësimin e komunitetit, kontrollet e shpeshta nga struktura të specializuara inspektuese pranë Bashkisë Devoll, për mënyrën e menaxhimit të plehërishtave e të mbetjeve të tjera urbane”. “Një tjetër pritoritet në këtë drejtim duhet të jetë edhe finalizimi i ciklit ‘grumbullim i mbetjeve në burim-transferim në vend-depozitimin e përkohshëm të caktuar nga bashkia-depozitim në landfillin e Maliqit’”,-shtohet në raport. Deri më tani, sikurse vlerëson Barometri, bashkia ka bërë ndërhyrje në infrastrukturën e ujërave të përdorur, por gjithsesi ato mbeten të përqëndruara në Njësinë Bilisht, ndërsa në njësitë e tjera ndërhyrjet janë inekzistente.

“MANDATI 2019-2023”

“Pas gjithë këtyre informacioneve të mbledhura dhe të përpunuara rekomandohet që Bashkia Devoll të rrisë shkallën e shkëmbimit të informacionit me komunitetin e fermerëve dhe qytetarëve sa i përket sektorit të bujqësisë”,- thotë Olsi Nika. “Ndërkohë që, rritja e nivelit të koordinimit dhe bashkëpunimit me autoritetet qëndrore do të ishte një rekomandim që Bashkia duhet ta marrë në konsideratë në mandatin e ardhshëm”,-shton ai. Gjithashtu, një tjetër rekomandim për kryebashkiakët që do të mandatohen për periudhën 2019-2023 e që reflektohet edhe në “Dokumentin e Prioriteteve” lidhet me investimin në rritjen e kapaciteteve njerëzore, duke afruar dhe organizuar grupe të përhershme profesionistësh në sektorët kyç të qeverisjes. Nga ana tjetër, zhvillimi i agro-turizmit dhe turizmit natyror është gjithashtu një potencial, i cili duhet të merret në konsideratë nga Bashkia në mandatin e ardhshëm, duke planifikuar ndërhyrje të veçanta në përmirësimin e infrastrukturës si edhe në promovimin e këtyre vlerave. “Trajtimi i mbetjeve të ngurta dhe të ujërave të përdorur gjithashtu është një prioritet të cilit Bashkia duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë, pasi ky sektor është ngushtësisht i ndërlidhur me mirëfunksionimin edhe të sektorëve të tjerë të marrë në analizë”,-përfundon raporti.


——————————————————————————————————————–

Ky shkrim është realizuar nga Ola Mitre në kuadër të projektit “Barometri i Devollit. Vlerësimi i premtimeve lokale bazuar në nenin 27. Funksionet e bashkisë në bujqësi, pylltari dhe zhvillim rural “, që po zbatohet nga ACEG në partneritet me OJQ-të lokale Shoqata Gjelbërimi Proger dhe Komisioni Këshillimor Qytetar i Devoll-it. Projekti financohet nga LëvizAlbania – për një demokraci të fortë lokale nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim – SDC. #LevizAlbania,  #QendraACEG, #Barometri Devoll,



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *