132022Kor
Iniciativa “Park i Shëndetshëm, Njerëz të Shëndetshëm”. Parku Kombëtar i Prespës një pasuri natyrore, që mund të rikthejë qytetarët te natyra për rritjen e mirëqënies shëndetësore

Iniciativa “Park i Shëndetshëm, Njerëz të Shëndetshëm”. Parku Kombëtar i Prespës një pasuri natyrore, që mund të rikthejë qytetarët te natyra për rritjen e mirëqënies shëndetësore

Qendra Shqiptare për Qeverisje Mjedisore ( ACEG) në bashkëpunim të ngushtë me Administratën e Zonave të Mbrojtura Korçë nën kujdesin e drejtorit Ilijon Thanas, organizoi webinarin me temë “Park i Shëndetshëm, Njerëz të Shëndetshëm” me qëllim prezantimin e kësaj iniciative pan europiane, synimi kryesor i së cilës është rikthimi i njeriut te natyra dhe rritja e mireqënies shëndetësore të qytetarëve.

Iniciativa “Park i Shëndetshëm, Njerëz të Shëndetshëm” është një program paneuropian, që zhvillohet e zbatohet në Europë nga Federata EUROPARC për të inkurajuar qytetarët të shohin natyrën si një mjedis, i cili ndikon direkt në mirëqënien e tyre shëndetësore dhe afron administratën e zonave të  mbrojtura me komunitetin dhe strukturat lokale në një bashkëveprim për zhvillimin e qëndrueshëm të  Parqeve Kombëtare .

Përgjatë pandemisë COVID-19 mbarë njerëzimi ktheu vëmendjen nga natyra dhe përfitimet shëndetësore që përfitojmë prej saj. Në këtë kontekst kjo nismë mori hov dhe u përqafua në mbarë Europën dhe më gjerë. Synohet ndërgjegjësimi i komunitetit dhe krijimi i kushteve në rritjen e kapaciteteve njerëzore të administratës së Zonave të Mbrojtura dhe kapaciteteve infrastrukturore të Parkut Kombëtar për të pritur vizitorë të të gjitha grup moshave dhe aftësive fizike të ndryshme,  i cili do të sjellë një rizgjim të turizmit shëndetësor dhe familjar në parqet kombetare. Nga ana tjeter po aq e frytshme dhe e domosdoshme është nevoja për krijimin e partneriteteve mes institucioneve lokale, akademike dhe shëndetësore për të bërë ta mundur aksesimin e Parkut Kombaëtar nga njerëz me nevoja të veçanta, fëmijë, familje dhe target grupe të tjera. Një partneritet, i cili do kontribuojë në mirëqenien shëndetësore të qytetarëve dhe njëkohësisht në mbrojten e Parkut Kombëtar. Kjo do të realizohet duke sjellë një fryme të re edukimi për mbrojtjen e natyrës duke e shfrytëzuar atë me përgjegjësi.

Qëllimi ynë është të nxisim dhe të realizojmë bashkëpunime midis pushtetit lokal, bizneseve, ojf-ve dhe qytetarëve për të rritur mirëqenien e tyre shëndetësore dhe ekonomike përmes zhvillimit të qëndrueshëm të parqeve dhe zonave të mbrojtura. Në këtë mënyrë ne mund të përmirësojmë shëndetin publik, duke promovuar një qasje pozitive ndaj zonave të mbrojtura. Kjo do të ndihmojë në tërheqjen e vizitorëve të rinj në parqe dhe zona të mbrojtura dhe do të ndihmojë në uljen e pabarazive shëndetësore. Ne duam të maksimizojmë kontributin e zonave të mbrojtura për përmirësimin e shëndetit publik dhe mirëqenies për të gjithë dhe reduktimin e pabarazive shëndetësore, mbrojtjen, rivendosjen dhe investimin në biodiversitet.

Të ftuarit në webinar i mirëpriti znj. Margarita Buxhaku, drejtore ekzekutive e qendrës ACEG duke shprehur konsideratë për të pranishmit. Në diskutim, patëm kënaqësinë të kishim të ftuar drejtoren e Fondit të Natyrës për Prespën e Ohrin, PONT, znj.Mirjam de Koning. “Ne duhet të kujdesemi për natyrën ashtu siç kujdeset ajo për ne.”, u shpreh znj. de Koning. Më tej ajo shtoi se iniciativa “HPHP” është thelbësore për mbarëvajtjen e shëndetit fizik dhe mendor pasi njerëzit janë të shëndetshëm kur janë në kontakt me natyrën.

I ftuar në webinar ishte Dr. Carles Castell Puig, ekologjist dhe ekspert i natyrës në Spanjë, njëkohësisht anëtar i komisionit të Federatës EUROPARC, (Federata e Natyrës dhe Parqeve Kombëtare në Europë). Gjatë prezantimit, dr. Puig u shpreh se iniciativa të tilla si HPHP duhet të forcohen dhe kjo mund të realizohet vetëm duke ndërtuar ura bashkëpunimi midis organizatave, bizneseve, ekspertëve dhe strukturave qeverisëse në nivel lokal dhe qendror të arsimit, shëndetësisë dhe pushtetit vendor.

Prezantimi i tij ishte i pasur edhe me shembuj ndërkombëtarë ku iniciativa HPHP është duke u zbatuar si në Skoci ashtu edhe në Spanjë.  Sesioni prezantues i dr. Puig u përmbyll me pyetje dhe diskutime të larmishme nga të pranishmit.

Në sesionin e dytë patëm kënaqësinë të diskutonim me drejtoren e Shoqatës Kombëtare të Guidave Turistike NATGA, njëkohësisht eksperte e turizmit, Ardiola Alikaj. “Natyra, përveçse është ilaç për shëndetin fizik, na ofron edhe qetësi mendore”, tha znj. Alikaj. “Iniciativa të vlefshme si HPHP mundësojnë rritjen e turizmit dhe shërbejnë për përmirësimin e ekonomisë lokale”, u shpreh më tej ajo.

Edhe gjatë sesionit të znj. Alikaj të ftuarit ishin interaktivë dhe diskutuan rreth “Parqe të shëndetshme, njerëz të shëndetshëm”. Në webinar morën pjesë përfaqësues të bashkisë Devoll dhe Pustec, përfaqësues të bizneseve,operatore turistike, organizata kombëtare dhe lokale, akademikë nga “Universiteti i Sporteve”, të cilët diskutuan rreth sesionit dhe përgëzuan qendrën për zhvillimin e iniciativës “HPHP” në Shqipëri.

Në kuadër të promovimit dhe zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm,nëpërmjet projektit “Promovimi i turizmit të qëndrueshëm përmes rritjes së kapaciteteve të autoriteteve lokale dhe sipërmarrjes në hapësirën më të gjerë të Prespës- Faza II” mbështetur nga Fondi i Natyrës për Prespën dhe Ohrin (PONT)t, Qendra ACEG synon të zbatojë iniciativën “Parqe të shëndetshëm Njerëz të shëndetshëm” duke e pilotuar fillimisht në Parkun Kombëtar të Prespës më pas për të mbështetur parqet dhe zonat e mbrojtura në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal për të dhënë rezultate më të mira për shëndetin e njerëzve dhe natyrës.



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *